Edhe pse golat munguan “El Clasico” e parë e edicionit 2019/2020 dhuroi një futboll shumë cilësorë. Në fushën e “Kamp Nou”, gjithçka ishte brenda normalitetit dhe lojës “fair-play”, nga ana e të dyja skuadrave, megjithatë situata jashtë stadiumit nuk ka qenë aspak e qetë.
Mediat spanjolle raportojnë se tifozëve u është kërkuar të kenë kujdes kur të dalin jashtë stadiumit për shkak të protestave dhe incidenteve midis policisë spanjolle dhe protestuesve pro-pavarësisë së Katalunjës.
Gjatë sfidës, disa tifozë të Barcelonës hodhën topa të verdhë drejt fushës, ndërsa në rrugët e qytetit, policia është përplasur me disa protestues duke i goditur me shkopa goma, ndërsa protestuesit u janë kundërpërgjigjur duke djegur disa kosha mbeturinash.
25 mijë persona u mblodhën jashtë “Kamp Nou” për të demonstruar pakënaqësinë kundër shtypjes nga regjimi monarkist spanjoll. Në stadium, disa tifozë thirrën “Spanjë, ulu dhe diskuto”, ndërsa grupi “Cunami Demokratik” lëshoi një deklaratë në rrjetet sociale: “Tungjatjeta botë! Sot ‘Cunami’ ka një mesazh për ju!”
Ndeshja ndërmjet dy skuadrave gjigande në futbollin spanjoll, por edhe atë botëror ishte planifikuar të zhvillohej me 26 tetor, por situata e krijuar në Katalunjë, e detyroi federatën spanjolle të shtynte takimin.
Deri tani nga përplasjet midis forcave të policisë dhe protestuesve “katalunas” janë lënduar 500 persona, gjysma e tyre policë, ndërsa 150 fluturime nga Katalonja janë pezulluar vetëm ditën e sotme.