Ish futbollisti i Shkëndijës, Astrit Fazliu, i cili së fundmi ishte pjesë e kampionëve në fuqi të Feronikelit në Kosovë, karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë te skuadra e Dritës së Gjilanit. Në fakt ky është një rikthim i tij te skuadra “bardheblu” nga Gjilani, duke pasur parasysh se pjesë e Dritës, Fazliu ishte edhe gjatë sezonit 2017/2018.
Ai pikërisht nga kjo skuadër verën e vitit 2018-të, i ishte bashkuar Feronikelit, ndërsa tashmë rikthehet sërish në familjen e vjetër, ku me Dritën do të pretendojnë titullin e kampionit.
Rikujtojmë Fazliu në të kaluarën ishte edhe pjesë e Shkëndijës së Tetovës, me të cilën skuadër numëron 14 ndeshje, 2 gola dhe 5 asiste, ndërsa gjatë karrierës së tij kishte veshur edhe fanellën e skuadrave të Ulpianës, Ferizajit, Prishtinës, si dhe Partizanit dhe Flamurtarit në Shqipëri.
Ndryshe sipas asaj që raporton Gazeta “SHESHI”, Fazliu te Drita do të prezantohet këtë të mërkurë (18 dhjetor) ose më së largu të enjten (19 dhjetor).