Muhamed Useini doli të jetë një ndër blerjet më të qëlluara të Gjilanit në merkaton e verës 2019-të. Ai te skuadra e Gjilanit u transferua nga rradhët e Renovës, teksa në stinorin vjeshtorë regjistroi plotë 14 paraqitje.
Në një bisedë me gazetën “Zëri”, Useini mendon se është përshtatur mjaft shpejt në futbollin kosovar, por ai pret edhe më shumë nga vetja në vazhdim të edicionit.
“Ka qenë një edicion mjaft i mirë dhe të them të drejtën e kam pritur këtë duke i parë futbollistët, të cilët u transferuan në skuadrën e Gjilanit, si dhe bagazhin e tyre”, ka thënë fillimisht Useini, duke shtuar: “Besoj se kam bërë ndeshje mjaft të mira dhe se jam përshtatur mjaft shpejt në kampionatin e Kosovës, edhe pse si futbollist nuk je i kënaqur nga forma asnjëherë dhe se gjithmonë kërkon më shumë nga vetja”.
Gjilani këtë edicion përveçse synon titullin e kampionit, gjithashtu është në garë për Kupën e Kosovës. Useini ka thënë se Gjilani e synon këtë edicion daljen në Evropë.
“Nuk jemi duke menduar fare te cila garë jemi më afër, ne po shkojmë ndeshje pas ndeshje, sikurse të jenë finale për ne. Objektivi i skuadrës dihet – dalja në Evropë si nga Kupa ose nga titulli kampion. A do ta arrijmë qëllimin, këtë do ta tregojë përfundimi i edicionit”, – ka thënë Muhamed Useini për gazetën “Zëri”.