Gjatë mbledhjes së tij të fundit, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në UEFA ka vendosur të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit për ndeshjen e zhvilluar Shqipëri-Francë, në “Air Albania”.
Kështu, FSHF-ja është gjobitur me 5000 euro për fërshëllimat ndaj himnit francez para ndeshjes në fjalë.
Gjithashtu, federata është gjobitur edhe për hedhjen e sendeve të forta (3250 euro) dhe për problemet që u hasën gjatë ndeshjes me çështjen e organizimit (15000 euro).
Gjobat në total shkojnë 23250 euro dhe duhet të paguhen 90 ditë pas publikimit të vendimit.
Ndërkohë, në Komisionin e Disiplinës të UEFA-s ka përfunduar edhe trajneri i U21, Alban Bushi, Ky i fundit ka vonuar fillimin e ndeshjes të Shpresave përballë Anglisë dhe për këtë arsye është paralajmëruar si ai, ashtu edhe FSHF, që në rast përsëritje të kësaj situate, do të përballet me sanksione disiplinore.