Një nga futbollistët më të talentuar të Amerikës së Jugut, mesfushori argjentinas, Eksekiel Palacios do të vazhdojë karrierën e tij në Bundesligë te skuadra e Bajer Leverkusenit.
Palacios me Bajer Leverkusenin ka nënshkruar kontratë për 5 vite e gjysmë, ndërsa dëmshpërblimi që do të paguajnë “farmaceutikët” skuadrës së River Plejt kap shifrën e 15 milion eurove.
Për shërbimet e Palacios interesoheshe edhe Reali i Madridit, madje vitin e kaluar u tha se mesfushori i ri po kalonte me siguri në Madrid. Megjithatë, një vit më vonë, ishte klubi gjerman ai që mori shërbimet e tij.
Trajneri i River Plejt, Marselo Galjardo shprehu zhgënjimin për shitjen e një prej lojtarëve më të mirë, por Palacios kishte një klauzolë kontrate prej 15 milionë eurosh në kontratë.
Palacios pjesë e River Plejt ishte që nga viti 2015-të, ndërsa deri më tash ka bërë 4 paraqitje për Kombëtaren e Argjentinës.