Një finalizim plot klas i Vlahovic, në minutën e tretë shtesë i mohoi fitoren Interin në transfertë me Fiorentinën. Edhe pse kryesoi për rreth 85 minuta lojë, një shpërqendrim në momentet e fundit të sfidës i kushtoi shtrenjtë skuadrës ziklatër, që dështoi të ruante vendin e parë në klasifikimin e Serisë A (zbret në vendin e dytë me pikë të barabarta me bardhezinjtë, 39).
Dy pikë të humbura, që “djegin” shumë në shtëpinë e Interit, pasi fitorja ishte shumë pranë.
Skuadra e Contes kaloi në epërsi që në minutën e 8-të me Borja Valero, një ish i kësaj sfide, që për respekt të tifozëve të Fiorentinës nuk festoi në “Artemio Franchi”.
Skudra vjollcë u mundua të reagonte menjëherë, duke rritur presionin, por e kishte të vështirë të shkonte te goli. Në minutëm e 39-të Lautaro Martinez shënoi një tjetër gol për Interin, por festa zikaltër zgjati shumë pak, pasi kryesori kërkoi ndihmën e VAR-it për pozicionin e argjentinasin, që në fund u konsiderua jashtë loje.
Lautaro pati një tjetër mundësi të mirë në minutën e 63-të, por ishte i pafat, pasi topi i goditur prej tij me kokë përfundoi jashtë.
Atëherë kur ziklatrit po mendonin të festonin, erdhi goli i papritur i Vlahovic nga një pozicion i prirët, falë një saktësie kirurgjikale, që nxori jashtë loje edhe portierin Handanovic. Shpërthen festa në “Artemio Franchi”, ndërsa ziklatrit e kishin të vështirë ta pranonin se humbën dy pikë “in extremis”.