Ndonëse merkatoja e dimrit ende nuk ka fiilluar zyrtarisht, skuadra kampione në fuqi e Kosovës, Feronikeli, gjatë ditës së sotme ka prezantuar edhe përforcimin e katërt, njofton “infOSport.mk”.
Pas Keith Groeneveld, Simon Loshit dhe Kristi Kullajt, drejtuesit e skuadrës nga Drenasi gjatë ditës së sotme kanë prezantuar një tjetër futbollist që përforcon repartin e mbrojtjes. Bëhet fjalë për ish futbollistin e kombëtares shqiptare dhe përfaqësueses së Kosovës, Ilir Berisha, i cili te Nikli vjen nga rradhët e skuadrës suedeze të Vasteras.
“FC Feronikeli konfirmon që ka arritur marrëveshje me futbollistin, Ilir Berisha. Berisha do të mbrojë ngjyrat e klubit nga Drenasi nga afati kalimtar i janarit, gjë për të cilën sot ka vënë firmën në kontratën me klubin.
Ilir Berisha rikthehet në futbollin kosovar, pas përvojës së marrë në arenën ndërkombëtare.
Ai luan në pozitën e qendërmbrojtësit, njihet si futbollist me karakter luftarak dhe i fuqishëm, duke i dhënë kështu edhe më shumë stabilitet mbrojtjes së FC Feronikelit.
Ai ka qenë pjesë e Orebro, Gefle, Flamurtarit të Vlorës, e së fundmi te Vasteras. Ilir Berisha, luan mire në ajër, ai është i njohur edhe për nofkën e tij “Air Berisha”.
Kujtojmë që Berisha më parë ishte grumbulluar nga Kombëtarja e Shqipërisë, ndërsa ka edhe disa ndeshje me Kosovën. 28-vjeçari ishte ndër lojtarët kyç të Kosovës para pranimit në UEFA e FIFA”, shkruhej në njoftimin e klubit të Feronikelit.