Skuadra e Milanit thuhet se po kërkon të nënshkruajë me mbrojtësin francez të Barcelonës, Zhan-Kler Todibo, në janar, në huazim me mundësi të blerjes për 10 milionë euro.
Me Leo Duarten e dëmtuar dhe Matea Kaldaran që po përpiqet të rimarr vetën në palestër pas lëndimit afatgjatë, drejtuesit “kuqezi” dëshirojnë të reagojnë që në janar, me qëllim që të mos kenë mungesë lojtarësh në repartin e mbrojtjes.
Një gjë të tillë raporton “Gazetta dello Sport”, sipas të cilëve “rossonerët” po shikojnë në forcimin e qendrës së mbrojtjes së tyre pikërisht tek talenti i Barcelonës.
Todibo iu bashkua Barcelonës gati se një vit më parë nga rradhët e skuadrës franceze të Tuluz, për një milion euro, por nuk ka gjetur kohën e duhur për të luajtur, pasi ka bërë vetëm tre paraqitje këtë sezon, përfshirë këtu edhe atë të mbrëmshmen ndaj Interit të fituar 2:1 në kuadër të Ligës së Kampionëve, e ku francezi shkëlqeu duke bërë super-paraqitje.
Drejtori i Milanit, Paolo Maldini, mendohet se është një admirues i 20-vjeçarit dhe ka filluar bisedimet me homologun e tij të Barcelonës, Erik Abidal, për mundësinë e një marrëveshje për Todibo, i cili ka një klauzolë lëshimi prej 150 milionë euro, por Milani shpreson të lidh një marrëveshje huazimi me detyrim blerje për rreth 10 milionë euro.
“Gazetta dello Sport” pretendon se Barcelonaa do të donte të fuste një klauzolë të riblerjes në çdo marrëveshje për francezin.