Ndryshime të mëdha priten të ndodhin te skuadra e Llapit gjatë afatit kalimtar të janarit. Krahas shumë largimeve që priten të ndodhin, në “Zahir Pajaziti” pritet të zbarkojnë edhe shumë futbollistë, shkruan Gazetasheshi.com.
Një garanci për portën është kërkesa kryesore që synon ta arrijë kryetrajneri i skuadrës Tahir Batatina, i cili në vazhdimësi ka theksuar këtë problem në stinorin pranveror të kampionatit.
Emri i Ilir Avdylit, ‘gardianit’ aktual të Kukësit është në ‘pole position’ për të ruajtur portën llapjane në pranverë.
Avdyli me shumë mundësi do ti braktis verilindorët në afatin kalimtar të janarit për arsye familjare dhe kërkon që të rikthehet në futbollin kosovar me skuadrën e Llapit që kërkon ti rifitojë shërbimet e tij.
Avdyli pjesë e Llapit ishte edhe në edicionin 2016/17, nga e cila skuadër qershorin e vitit 2017-të u transferua te Shkëndija e Tetovës, mirëpo duke mos arritur të lë gjurmë, ai u largua vetëm pas 6 muajve, duke vendosur që të transferohet te Kamza.
Te këta të fundit ai tregoi një performancë të shkëlqyer, gjë kjo që shtyu drejtuesit e Kukësit për të transferuar gjatë merkatos së fundit të verës, mirëpo si duket njëjtë sikurse edhe te Shkëndija, te skuadra nga verilindja e Shqipërisë do të largohet vetëm pas 6 muajve.
Ndryshe karriera e 29 vjeçarit të lindur në Obiliqi kishte nisur te KEK-u, ndërkohë që më pas të jetë pjesë edhe e skuadrave si Drenica, Ferizaj, Hajvalia, por gjithashtu në Shqipëri kishte veshur edhe fanellën e Tiranës.