Golat nga përmbysja spektakolare e Renovës ndaj Rabotniçkit (VIDEO)

Renova ka zhvilluar një ndër ndeshjet më të forta gjatë stinorit vjeshtorë, teksa sot në Tetovë me rezultatin 4:3 mundi Rabotniçkin, njofton “infOSport.mk”. Kjo fitore e “gjipspunuesve” fiton në peshë edhe për vetë faktin se “romantikët” deri në minutën e 60-të po avansonin me shifrat 3:1. Megjithatë loja ekipore, e mbi të gjitha vullneti dhe vetëbesimi në mesin e futbollistëve “bardheblu”, bëri që në fund Renova ti gëzohet fitores së shumëpritur.

Ndryshe të parët në këtë ndeshje avansuan mysafirët falë golit të shënuar nga ana e sulmuesit serb, Ivan Markoviç (24’). Nuk vonoi shumë dhe vetëm 3 minuta më pas Argjent Gafuri nga penaltia solli simetri në rezultat, teksa Petar Petkovski në minutën e 37-të me një parabolë të shkurtër arriti që të mposhtë edhe për herë të dytë portierin Hadis Veli.

Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa pjesa e dytë rezultoi të jetë shumë më interesante sa u përket golave të shënuar. Petar Petkovski pas 3 minutave të kaluara në këtë pjesë arriti që të shënojë edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Rabotniçkin, skuadër kjo që në ato momente kishte epërsi 3:1. Ky rezultat ishte valid deri në minutën e 60-të, atëherë kur në skenë te skuadra vendase doli Ilirid Ademi, duke zbutur rezultatin në 2:3.

Ky gol i shënuar mu në momentin e duhur, ju dha krahë futbollistëve vendas, të cilët pas një aksioni më të gjatë dhe me shumë pasime, në minutën e 62-të arritën që të barazojnë rezultatin në 3:3, falë golit të shënuar nga Bojan Miovski.

Ishte ky goli i parë për futbollistin me origjinë nga Shtipi këtë edicion me fanellën e Renovës në kampionat dhe i dyti në përgjithësi, pas atij goli të shënuar në kuadër të Kupës kundër Kozhuvit në Gjevgjeli.

Mirëpo këtu të besuarit e trajnerit Bujar Islami nuk e kishin dhënë fjalën e fundit, pasi në minutën e 73-të falë asistit të përkryer nga ana e Florian Kadriut, Remzifaik Selmani shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e Shishkovskit, për rezultat përfundimtarë, Renova 4, Rabotniçki 3.

Edhe përkundër kësaj fitore, Renova mbetet në zonën e ftohtë në renditjen tabelare, duke u renditur si e 9-ta me 19 pikë, ndërsa Rabotniçki stinorin pranveror, si asnjëherë më parë do ta mbyll në pozitën e fundit me 15 pikë të tubuara në 18 xhiro.

Leave a Reply