Gjykata e Arbitrazhit Sportiv redukton skualifikimin e Chelsea-t në merkato. Ekipi londinez mund të përforcohet me futbollistë gjatë muajit janar, pasi ndëshkimi i FIFA-s në fazën e merkatos u reduktua në Lozanë pikërisht nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, CAS, që mori parasysh ankimimin e drejtuesve të Chelsea-t në lidhje me këtë çështje.
Në muajin shkurt klubit nga Premiershipi iu mohua nga FIFA e drejta për t’u përforcuar në dy fazat e radhës në merkato, për shkak të shkeljeve të rregullave në lidhje me transferimin e futbollistëve të rinj. Kështu CAS përgjysmoi dënimin e mëparshëm, në thjesht një fazë, ndëshkim që gjithsesi “blutë” e vuajtën pikërisht gjatë verës së kaluar. Përveç uljes së skualifikimit, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv reduktoi gjithashtu edhe gjobën e vendosur, nga 600.000 në 300.000 franga zvicerane.
Ekipi londinez u ndëshkua për shkak të shkeljes së rregullores në pikën numër 150, që sipas gjykimit përfundimtar të nxjerrë nga emisarët e organizmit më të lartë botëror përfshinte afrimin e plot 69 lojtarëve të rinj gjatë sezoneve të ndryshme në Akademinë e Klubit. CAS arriti në përfundimin se “blutë” e kanë shkelur vërtet rregulloren ndërkombëtare të transferimit të futbollistëve të rinj, apo qoftë edhe të regjistrimit të lojtarëve nën moshë, por vetëm për një numër të kufizuar rastesh, që korrespondon me afërsisht 1/3 e shkeljeve nga totali i nxjerrë nga hetimi i FIFA-s.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër shpjegoi se shkeljet e pretenduara në lidhje me Rregulloren mbi Statusin dhe Transferimin e Futbollistëve, janë gjykuar të jenë më pak serioze nga ç’është vendosur në përfundimin e nxjerrë prej shqyrtimit të bërë nga FIFA. Hollësi më të detajuara të cilat dolën në dritë së fundmi në adresën zyrtare të FIFA-s qartësuan se shumë futbollistë që figuronin në Akademinë e Chelsea-t janë afruar pranë Qendrës Stërvitore të Klubit në Cobham thjesht për provë, por nuk janë aktivizuar në ndeshjet e ekipeve zinxhir.
Drejtuesit e Chelsea-t që në fillim nuk humbën aspak kohë, por vendosën të apelojnë skualifikimin në merkato në Zyrat e CAS, vendim që për hir të së vërtetës u mor jo vetëm për shkak të hetimit të FIFA-s por gjithashtu edhe pas një kontrolli të bërë nga Premier League, në lidhje me afrimin në gjirin e skuadrave të lojtarëve nën moshën 18 vjec. FIFA e ndalon transferimin e lojtarëve nën këtë moshë nga njëri vend në tjetrin, vetëm nëse përmbushen me rreptësi një sërë kriteresh, ku spikat mbi të gjitha transferimi i prindërve të vetë lojtarit për qëllime jo-futbollistike.
Një rregull i tillë ka për qëllim mbrojtjen e të miturve nga shrytëzimi apo dhe trafikimi. Drejtuesit e Chelseat u shfaqën të lumtur për faktin që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv arriti në përfundimin se shkeljet e klubit nuk ishin edhe aq të rënda sa në raportin prëmbyllës të FIFA-s dhe në mënyrë të kuptueshme njëriu më i kënaqur është padyshim vetë Frank Lampard.
I vetmi futbollist i ri i këtij sezoni për “blutë” sic dihet është Christian Pulisic, që ndonëse firmosi që në muajin janar për t’u larguar nga Borusia e Dortmundit, në Londër u transferua vetëm gjatë verës së kaluar, ndërkaq drejtuesit e klubit përfituan edhe nga një klauzolë e favorshme në kontratë, për ta kthyer huazimin e mesfushorit kroat Mateo Kovacic nga Reali i Madridit në një kalim përfundimtar në radhët e ekipit kryeqytetas.
Pavarësisht skualifikimit në merkato nën drejtimin e ish-kapitenit Lampard ekipi ka bërë shumë më mirë nga ç’pritej dhe pozicionohet për momentin brenda Zonës Champions, më saktë në vendin e katërt, i shkëputur me 6 pikë nga ndjekësi më i afërt në klasifikim, kështu që pyetja që lind natyrshëm është a do të rrezikojë “Frenki” për të prishur harmoninë në skuadër duke afruar të tjerë futbollistë muajin e ardhshëm?