Sulmuesi kërçovar i Shkëndijës, Besart Ibraimi ka kohë që llogaritet në mesin e golashënuesve më të mirë në historinë e futbollit në Maqedoninë e Veriut, për të arritur tashmë të “pushtojë” vetë kreun. Pas rekordit si futbollisti i parë që fiton tre herë rresht titullin “Këpuca e Artë” (golashënuesi i sezonit) në elitën vendore, tashmë edhe zyrtarisht shkruan emrin e tij si autori i më shumë golave në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Dy realizimet në fitoren e të dielës me Shkupin çojnë në 167 numrin e golave të Ibraimit në LPFMV.
“Sigurisht se për mua paraqet kënaqësi të veçantë të jem bartës i këtij rekordi dhe për këtë dua të falemenderoj gjithë ata që më kanë ndihmuar në rrugën time drejt kësaj arritje”, thotë Besart Ibraimi, duke vijuar: “Falemenderimet i takojnë Zotit që më dha shëndet dhe mundësi të arrij këtë sukses. Padyshim mirënjohës për bashkëlojtarët, trajnerët dhe gjithë në klub, bashkë me tifozët e Shkëndijës dhe “Ballistët” pa mbështetjen e të cilëve nuk do ishte e mundur kjo arritje. Një dedikim edhe për familjen që gjithmonë më ka përkrahur për të ecur përpara”.
Me dy golat kundër Shkupit, Besart Ibraimi kompletoi 85 realizime kampionale me fanellën e Shkëndijës në Ligën e Parë, ku zhvillon sezonin e pestë si “kuqezi”.
Besart IBRAIMI me fanellën e ShkëndijësGjithsej 1️⃣1️⃣4️⃣ gola ⚽️8️⃣5️⃣ në ndeshjet e LPFMV 1️⃣5️⃣ në ndeshjet e Kupës së RMV 1️⃣4️⃣ në ndeshjet Europiane🔥🔥🔥
Публикувахте от infosport.mk в Петък, 6 декември 2019 г.
“Jam krenar për këto shifra që kam mundur të realizoj me fanellën e Shkëndijës, për më shumë që ato gola kanë ndimuar skuadrën të arrijë objektivat, si fitimi i titujve vendorë dhe ecuria pozitive në Europë“, shprehet numri “7”, që shton se vazhdon të ndjejë uri për të vazhduar marrëdhënien e shkëlqyer me golin.
“Padyshim se synoj të shënoj akoma me këtë fanellë. Pas operimit dhe pauzës ishte e pritshme të përballem me vështirësi në drejtim të kthimit të formës optimale, por ngadalë gjërat marrin vendin e duhur. Pretendimi im është të vazhdoj të shënoj për të ndihmuar Shkëndijën në ecurinë drejt objektivave“, përfundoi Besart Ibraimi.