Futbollisti i Kukësit, Tome Kitanovski, është larguar nga Shqipëria dhe aktualisht ndodhet në Maqedoni, pasi i njëjti ka frikë nga tërmetet që kanë tronditur shtetin tonë fqinjë.
Drejtuesit e klubit shqiptarë mendonin se mbrojtësi do të rikthehej sërish, por 27 vjeçari e ka ndarë mendjen të largohet përfundimisht nga Kukësi, transmeton “abcnews”, përcjellë “infOSport.mk”.
Për më tepër, Kitanovski është gati të heqë dorë nga çdo detyrim financiar që Kukësi ka ndaj tij, vetëm në mënyrë që të ndërpresë kontratën dhe të qëndrojë në vendlindje.
Maqedonasi u transferua te Kukësi gjatë merkatos së verës nga rradhët e skuadrës azere të FK Sabail, pjesë e së cilës ishte për një vit të plotë. Ai me skuadrën nga Verilindja e Shqipërisë nënshkruajti kontratë një vjeçare, me opcion vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Kitanovski ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për trajnerin Shpëtim Duro, duke zhvilluar të gjitha 13 ndeshjet kampionale, edhe atë në 11 prej tyre duke qenë titullarë. Ai ishte titullarë edhe në dy ndeshjet e Liga Europa kundër Debrecen, ndërsa bëri edhe një paraqitje në kuadër të Kupës së Shqipërisë kundër Partizanit.
Ndryshe Kukësi, që udhëhiqet nga ish trajneri i Shkëndijës, Shpëtim Duro, pas 13 xhirove të zhvilluara në Superligën e Shqipërisë, ndodhet në pozitën e dytë me 21 pikë, 4 më pak se kryesuesit e Partizanit.