Inati i serbëve kundrejt shqiptarëve, duket që është aq i madh sa që shqiponja i tmerron ata çdo herë që përdoret gjatë festave të futbollistëve shqiptarë!
I fundit që festoi me shqiponjë ishte Milot Rashica, i cili me dy golat e tij ndihmoi Verder Bremenin që të shënojë fitore 3:2 në transfertë ndaj Volfsburgut, ndërsa njëkohësisht edhe u solidarizua me Shqipërinë pas tërmetit që e goditi shtetin tonë fqinjë.
Ndërkohë festa e Rashicës ju kishte hapur punë mediave serbe, të cilat sot ishin marrë me yllin kosovar të Verder Bremenit.
“Rashica festoi si Xhaka dhe Shaqiri”, shkruan “Republika”, një nga gazetat më të mëdha në Serbi.
Duket se festa e sulmuesit shqiptar, i ka kujtuar edhe një herë atë ndeshje në Botëror, ku Xhaka dhe Shaqiri shënuan dhe festuan që të dy me shqiponjë duke ngjallur polemika të shumta.
Ndërkohë, “Informer.rs” shkruan: “Turp! Shoku i skuadrës së futbollistit të Kombëtares serbe, ka shënuar dhe ka festuar me shqiponjë para tij”.
Golin e shënuar nga Rashica, mediat serbe e kanë publikuar edhe me foto dhe me video duke treguar shqiponjën e krijuar nga ai dhe pretendimet e serbëve janë të mëdha duke synuar që të hiqet ky festim.