Përfaqësuesja e Kosovës ka pasur një ecuri fenomenale që prej ardhjes së trajnerit zviceran, Bernard Çallandes. Të njëjtin mendim ndanë edhe ish sulmuesi kosovar, Milaim Rama, i cili është një ndër futbollistët e parë që ka përfaqësuar Zvicrën.
Rama në një prononcim për RTK, ka thënë se është i mahnitur nga Përfaqësuesja e Kosovës, tek e cila beson shumë se në fund do i’a arrijë qëllimit që të luaj në “Euro 2020”.
“Ishte një kënaqësi e madhe të isha në mesin e atyre tifozëve në ‘Fadil Vokrri. Kam qenë prezent në dy ndeshje. Rezultati në fund nuk ishte i mirë, por në fund fituam një respekt dhe i treguam botës simpati dhe se kemi vlera jashtë dhe brenda fushës”, ka thënë Rama, i cili gjithashtu foli edhe për ndeshjen, që Kosova do ta zhvillojë kundër Maqedonisë së Veriut në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve.
“Ndeshja me Maqedoninë nuk do të jetë e lehtë, por besoj te mbështetja e fuqishme e ‘Dardanëve’ dhe besoj se do t’ia dalim”, – përfundoi ai.
Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në program është me 26 mars, dhe e njëjta do të zhvillohet në arenën “Todor Proeski” në Shkup, ndërsa fituesi i kësaj përballjeje në finale do të takohet me fituesin nga përballja, Bjellorusi-Gjeorgji. Fituesi i përgjithshëm nga Liga “D” e Kombeve do të kualifikohet për në Europianin e vitit të ardhshëm.