Pas fjalëve të para për kanalin zyrtar të klubit, Jose Mourinho ka dalë edhe në konferencën e parë për shtyp si trajner i Tottenham Hotspur. Përpara mediave angleze, trajneri portugez është shfaqur shumë i motivuar për këtë detyrë të re, duke vlerësuar potencialin e lojtarëve të Tottenham. Mourinho shprehu bindjen se do të bëjë gjithçka që skuadra të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhet pasi beson te aftësitë e lojtarëve, madje është aq i kënaqur me grupin që ka në dispozicion saqë nuk do të donte asnjë përforcim në merkato.
“ Jam shumë i lumtur që jam këtu. Çdo klub që ndërron trajnerin gjatë sezonit, do të thotë se ka vështirësi. Por, potenciali i kësaj skuadre është i jashtëzakonshëm, ashtu edhe si i lojtarëve që janë një nga arsyet pse bëra këtë zgjedhje. Nuk ndryshohen gjërat në dy ditë. Nuk kam shumë eksperiencë duke i marrë ekipet në drejtim gjatë sezonit, më ka ndodhur vetëm me Porton në vitin 2001. Këto 11 muaj pushim kanë shërbyer për të reflektuar, analizuar dhe përgatitur. Por nuk e humbet kurrë ADN dhe identitetin. Kam kuptuar se gjatë karrierës sime kam bërë gabime që nuk do t’i ribëja. Jam më i fortë, i relaksuar dhe i motivuar. Dua të influencoj te lojtarët e mi që të jenë të nervozuar pas një fitore të munguar. Pasi nëse je i lumtur pasi ke humbur një ndeshje, është e vështirë të jesh një fitimtar. Përforcime në skuadër? E vetmja gjë që dua është të ruaj këtë grup futbollistësh, pasi të gjithë janë lojtarë me cilësi të mëdha”.