Enis Bardhi është një ndër futbollistët më suksesshëm shqiptarë që luan në Europë. Mesfushori shkupjan që njihet me njofkën “snajperi” për saktësinë nga gjuajtjet e lira, është një ndër futbollistët më të mirë te skuadra e Levantes, pjesë e së cilës është tashmë më shumë se dy vite.
Ndryshe karrierën e tij, Bardhi e kishte nisur në vendlindjen e tij në Shkup, duke u stërvitur me skuadrën e FC Shkupit nga Çairi.
Megjithatë publiku nuk ka qenë asnjëherë i informuar se dëshira e tij si fëmijë ka qenë që të luaj për Lepencin e Kaçanikut.
Në një intervistë për Indeksonline, trajneri Selajdin Zeneli që atëkohë ishte në krye të Lepencit zbulon sekretin pse kishte dështuar marrëveshja me Enis Bardhin.
“Enisi kishte ardhur së bashku me vëllaun e tij Beharin. Ai ka dashtë të luaj me Lepencin dhe ne i kemi thënë që mund të shkoj te kadetët apo juniorët. Enisi udhëtonte nga Hani i Elezit dhe ne ua patëm hequr shpenzimet e udhëtimit. Por atë kohë Enisi kërkonte që të merrte pagë dhe për një futbollist të asaj moshe ne nuk kemi pasur mundësi të japim rrogë. Behari e vazhdoi karrierën te Lepenci dhe luajti afërsisht 1 vit e gjysmë, ndërsa Enisi nuk erdhi më. Pra nuk është e vërtetë që ne e kemi refuzuar” – deklaroi Zeneli në një intervistë për “Indeksonline”.
Enis Bardhi me sukses po përfaqëson Maqedoninë e Veriut, ndërsa shkupjani me 26 mars bashkë me shokë do të luaj kundër Kosovës në kuadër të ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kombeve.