Aktivizimi i Florian Kamberit me përfaqësuesen shqiptare në ndeshjet kunsër Andorrës dhe Francës mbetet peng i Federatës së Zvicrës. Një lejekalim nga kjo e fundit do të përshpejtonte procedurën për regjistrimin e lojtarit në FIFA, por një gjë e tillë nuk po ndodh.
Kamberi sot ka marrë përfundimisht në dorë edhe pasaportën shqiptare, duke plotësuar tashmë burokracinë sa i përket shtetësisë shqiptare. Por për të luajtur me “kuqezinjtë”, ai duhet të ndërrojë edhe federatën, pasi më parë ka luajtur me Zvicrën me përfaqësuesen U21 në ndeshje zyrtare.
Kërkesa është çuar në FIFA, por ajo do kohë të miratohet nëse nuk vjen një “ok” edhe nga Zvicra.
“VIP Sport” ka mësuar se nga federata helvete nuk përgjigjen për rastin në fjalë, duke bllokuar për momentin regjistrimin e futbollistit.
Nëse Zvicra nuk kthen përgjigje pozitive, çështja duhet të shqyrtohet në komisionet përkatëse të FIFA-s për statusin e lojtarit e kjo do të kërkonte kohë, duke e bërë thuajse të pamundur aktivizimin që në ndeshjen me Andorrën e rrezikuar edhe atë me Francën.
Megjithatë në FSHF vazhdojnë të shpresojnë te një përgjigje nga ana e palës zvicerane, për të përshpejtuar procedurën, duke marrë shkas nga fakti se në vitin e fundit, Zvicra nuk ka bllokuar thuajse asnjë nga procedurat e tilla për ndërrimin e federatës. (vipsport.al)