Jasin Lama futi emrin e tij në historinë e boksit të Maqedonisë së Veriut, pasi në fundjavë fitoi trofeun e turneut më prestigjioz jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë Ballkan si “Gongu i Artë”. Për boksierin shqiptar ka qenë ëndërr për të triumfuar në këtë turne dhe ka punuar vazhdimisht për ta arritur. Viteve të fundit Lama ka qenë pjesëmarrës i rregullt në këtë turne, ndërsa këtë vit doli të jetë më i miri, duke “rrëmbyer” kështu edhe trofeun e edicionit të 49-të.
Jasin Lama, boksier: Në këtë turne unë marrë pjesë 4 vite dhe gjatë këtyre viteve shpresoja që ky trofe i ‘Gongut të Artë’ të jetë i imi. Çdo boksier nga Maqedonia dëshiron dhe e ka ëndërr për të fituar këtë trofe sepse është i fituar nga shumë boksier me emër. Të them të drejtën e kam plotësuar një ëndërr të mirë, pasi ky trofe është njëri nga më të mirët që kam në karrierën time dhe jam shumë i kënaqur për këtë trofe”.
Triumfi i Jasin Lamës në “Gongun e Artë” ishte padyshim edhe një arritje e madhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi bëhet boksieri i tretë që merr këtë trofe në 50 vite ekzistim të këtij turneu. Trajneri Skender Jahiu në emisionin ‘Sportmania’ bënë edhen një krahasim me të kaluarën dhe të tashmen.
Skender Jahiu, trajner boksi: Më herët kur garonim ne, nuk kemi pasur kësi lloj organizime. Nuk kemi pasur kush të na udhëheq dhe nuk kemi pasur asgjë në federatë dhe gjithmonë kemi qenë të dëmtuar. Tani më nuk është ajo kohë, kanë ndryshuar shumë gjëra. Faton Salihu ka punuar shumë në këtë aspekt. Dy boksier shqiptarë të Maqedonisë e kanë fituar ‘Gongun e Artë’, tash edhe Jasini është i treti, ndërsa ne as në ëndërr nuk kemi pasur mundësi ta shohim këtë”.
Për Lamën dhe Jahiun tashmë objektivi radhës mbetet Kampionati Ballkanik, në të cilën pretendojnë të marrin rezultatet më të mira./Shenja/