Federata Gjermane e Futbollit ka prezantuar zyrtarisht fanellat e reja për pjesëmarrjen e ekipit kombëtar në “Euro 2020”. Një iniciativë që është mirëpritur nga tifozët të cilët kanë nxituar për të bërë të tyrin modelin e ri.
Por shumë prej tyre janë çuditur kur në dyqanin zyrtar “online”, fanellat që mund të porositnin ishin me gabime.
Emrat e futbollistit të Këllnit, Jonas Hektor si dhe sulmuesit të Frajburg, Luka Valdshmid, për çudinë e të gjithëve ishin të shkruara gabim.
Në fillim u mendua se mos ishte ndonjë promocion i veçantë, por më pas fotot u ndryshuan gjatë pasdites duke u kthyer në versionin normal të emrave të këtyre dy futbollistëve.
“Adidas” shpjegoi edhe ngatërresën e bërë nëpërmjet një komunikate, duke siguruar tifozët se pavarësisht porosive që mund të kishin bërë për fanellat me emrat e gabuara, në shtëpi do të merrnin ato me emrin origjinal të futbollistit. (vipsport.al)