Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, pa dyshim se është futbollisti kryesor i Fenerbahçes këtë edicion në Superligën e Turqisë.
Me dy golat që shënoi në fitoren 3:2 të Fenerbahçes ndaj Kasimpasha, Vedat Muriqi po përjeton një moment vërtetë të artë dhe shkon në superformë në grumbullimin e përfaqësueses së Kosovës për dy sfidat e fundit në grupin “A” kualfikues ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë që do të vendosin edhe fatet e kualifikimit.
Me dy penalltitë e kthyera në gol përballë Kasimpasha, Vedat Muriqi jo vetëm që ndihmoi Fenerbahçen të ngjitej përkohësisht në krye të Superligës turke por në të njëjtën kohë u ngjit edhe në kuotën e 7 finalizimeve në kampionatin turk, me kosovarin që ka bërë startin më të mirë në karrierë pasi asnjëherë nuk kishte shënuar 7 gola në 11 javët e para të kampionatit.