Renova sot barazoi 1:1 në shtëpi ndaj Akademia Pandev, mirëpo “gjipspunuesit” pretendojnë se janë të dëmtuar nga ana e arbitrit kryesor Dejan Jakimovski, njofton “infOSport.mk”.
Sipas drejtuesve të skuadrës nga Xhepçishti arbitri shkupjan Jakimovski i kishte dëmtuar për një penalti të pastërt, ku përmes videos që kanë publikuar në faqen e tyre në “facebook”, pretendojnë që Maslaq kishte luajtur me dorë, ndërsa përveç arbitrit kryesor, Dejan Jakimovski, një gjë të tillë nuk kishte mundur ta vërejë edhe arbitri shtesë, që ndodhej shumë pranë rastit.
Rikujtojmë ndeshja në fjalë ishte e vetmja që arbitrohej nga 6 arbitra, mirëpo edhe përkundër kësaj sërish kishte ankesa drejt referimit.
“Deri kur kështu?!!! Penalti e pastërt ku mbrojtësi i A.Pandev luan me dorë (të cilën e ka shumë hapur nga trupi), dhe janë 6 REFER?!!! Për çfarë po garojmë, për kënd po luajmë futboll?! Nuk do heshtim, përkundrazi do flasim për gjithçka që “LUHET”, për GJITHÇKA” – qëndron në reagimin e KF Renovës në faqen zyrtare në “facebook”.
Që kjo ndeshje ishte e tensionuar dhe me shumë pakënaqësi nga ana e vendasve dëshmojnë edhe tre kartonët e kuq, ku fillimisht gjatë zhvillimit të pjesës së parë, arbitri Jakimovski me të kuq kishte ndëshkuar ndihmës trajnerin Behar Ukalli, ndërsa në mes pjesëve kishte ndëshkuar edhe drejtorin sportiv, Fisnik Nuhiun dhe sekretarin e klubit, Xhevdet Rustemin.