
Një ngjarje e pazakontë mund të ndodhë te skuadra e Levantes, pjesë e së cilës është edhe futbollisti shqiptarë, Enis Bardhi. Skuadra e këtij të fundit nesër në kuadër të javës së 13-të do të përballet me Atletik Bilbaon, ndërsa për të njëjtën trajneri Lopez Pako nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e portierit Aitor Fernandez.
Këtë fundjavë në Spanjë janë zgjedhjet e përgjithshme dhe portieri është zgjedhur si komisioner në qendrat e votimit, duke humbur kështu ndeshjen në udhëtim kundër Bilbaos.
Trajneri i Levantes, është në panik pasi që edhe portieri i dytë Oier Olazabal është i dëmtuar.
Sipas AS, avokatët e klubit po punojnë fort për të çliruar portierin Fernandez nga një detyrim i tillë.
Alternativa e vetme për Levanten mbetet aktivizimi i portierit të tretë i cili ka dalë nga akademia.
Për momentin ekipi i Levantes së Enis Bardhit mban pozitën e 12-të në La Liga me 17 pikë, po aq sa ka edhe skuadra kundërshtare e Bilbaos një pozitë më lartë.