Mbrojtësi i FC Shkupit, Fatih Ismaili ka mbyllur sezonin para kohe. Pas ekzaminimeve mjekësore të bëra gjatë ditës së djeshme, ishte konstatuar se mbrojtësi “bardheblu” kishte këputër miniskusin dhe ligamentin e kryqëzuar të përparëm në gjurin e këmbës së majtë.
Kësisoj i njëjti gjatë ditës së sotme iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, me çka tashmë Ismailin e pret faza e rikuperimit.
Sipas mjekëve të klubit nga Çairi, e njëjta mund të zgjasë deri në 8 muaj, me çka Ismaili do të ngelet jashtë fushave deri në përfundim të sezonit 2019/20.
Kujtojmë që Ismaili u lëndua në ndeshjen me FC Struga Trim Lum të luajtur me 3 nëntor 2019 në Çair në kuadër të xhiros së 13-të në LPFVM.
Ismaili po bënte një sezon të shkëlqyeshëm me FC Shkupin, për të cilën skuadër zhvilloi 9 ndeshje kampionale, ndërsa gjithashtu luajti edhe në dy ndeshjet e Liga Europa kundër Pjunik.