Florian Kamberi e ka zgjedhur Shqipërinë për të luajtur para Kosovës, por deklaratat e familjarëve të tij se “Dardanët” nuk ishin të interesuar për të, i ka mohuar menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala.
Shala në një prononcim për Radio Televizionin “Dukagjini” theksoi se ai personalisht e kishte kontaktuar futbollistin, por ai nuk ishte i gatshëm për të zgjedhur Kosovën.
“Sa për të qenë korrekt me opinionin, sa për të qenë korrekt me tifozët, sa për të qenë korrekt me adhuruesit e kombëtares së Kosovës ne duhet të themi se e kemi kontaktuar Florian Kamberin. Ka më shumë se një vit e gjysmë që e kam kontaktuar direkt Florian Kamberin. Jo me familjarët, jo me menaxherët, por direkt me Florianin. Në atë kohë ai nuk ishte i gatshëm për ta pranuar ftesën e Kosovës. I kemi dhënë afatin për ta pritur derisa ai të jetë i gatshëm, por Florianit duket se i ka marrë shumë kohë të marrë një vendim. Pastaj këtë verë kanë filluar disa spekulime dhe unë i kam përcjellë ato te selektori, ndonëse nuk kemi patur ndonjë kontakt direkt të Florianit pastaj, sepse në fund të fundit, në kontaktin e fundit që kemi patur me të ka mbetur që ai të merrte një vendim se për cilën kombëtare do të luante për Kosovën apo për Zvicrën, sepse Shqipërinë ai nuk e përmendte fare. Si do që të jetë ai nuk është lajmëruar në mënyrën direkte te ne. Ne nuk mund të tregohemi sy mbyllur, pasi që kemi parë spekulimet në media, por zyrtare nuk kemi marrë asgjë nga Floriani deri në muajin e kaluar, kur edhe kam marrë një email nga klubi i tij ku deklarohet se ai është i gatshëm të luajë për reprezentacionin”, deklaroi Shala.
Florian Kamberi do të jetë pjesë e listës së seleksionuesit të kombëtares shqiptare, Edi Reja për dy ndeshjet e muajit nëntor ndaj Andorrës (14.10) dhe Francës (17.10).