Shkëndija të dielën në Tetovë kundër Borecit regjistroi fitoren më të thellë të këtij edicioni, njofton “infOSport.mk”. Skuadra kampione e vendit shënoi fitore 4:0, duke vazhduar në këtë mënyrë serinë e rezultateve pozitive. Ishte kjo fitorja e tretë në 4 ndeshjet e fundit, përfshirë këtu edhe atë të Kupës kundër Vardarit, ndërsa ajo që bënë të mendojmë se po na rikthehet Shkëndija e vjetër, është fakti se “kuqezinjtë” në këto 4 ndeshje nuk kanë pranuar asnjë gol.
Një gjë e tillë ka kënaqur tej mase edhe trajnerin Ernest Gjoka, i cili Shkëndijën po e udhëheq tashmë në 5 ndeshje.
“Absolutisht më kënaq seria prej katër ndeshjeve me rradhë pa gol të pranuar, sepse një skuadër që don të shkojë larg, një skuadër elitare duhet patjetër të jetë e kujdesshme, duhet të dijë si funksionon në fushë dhe duhet të dijë si sillet në fushë, të dijë sat ë vështirë t’ia bëjë kundërshtarit dhe sigurisht se duke i bërë këto detyra me përpikmëri atëherë do ta kemi të thjeshtë me potencialin që kemi të shënojmë gola” – shprehet Ernest Gjoka, i cili beson tek potenciali që ka skuadra e tij: “Unë mendoj që Shkëndija e ka potencialin dhe këtë e kam thënë që kur mora drejtimin e ekipit. Vlerësoj se ne duhet të mendojmë dhe të trajtojmë situatën e vështirë që kemi kaluar, ta mendojmë ndryshe tashmë. Të kthehemi te loja e mirë, të kthehemi te disiplina taktike dhe të kërkojmë gjithçka nga vetja në çdo ndeshje. Në qoftë se gjithmonë ne gjithë bashkë do ta mendojmë kështu, atëherë mendoj se çdo ndeshje do të shkojë mirë sepse potenciali te Shkëndija ekziston”.
Pas fitores së djeshme Shkëndija tashmë pozicionohet në vendin e 3-të në renditje me 18 pikë, 7 më pak se Akademia Pandevi e vendit të dytë dhe -12 ndaj liderëve aktual të Vardarit. Javën që vjen Shkëndija do të përballet me Rabotniçkin në Shkup.