Mediat shqiptare shkruajnë për problemet kardiake të ish-sulmuesit të Pobedës

Ish sulmuesi i Pobedës, Kyrian Nvabueze është lojtari i momentit në Superligën shqiptare. Nigeriani me pasaportë amerikane kryeson listën e golashënuesve me 11 gola të shënuar nga po aq ndeshje.

7 gola prej tyre i ka shënuar në katër ndeshjet e fundit. Nuk ka humbur asnjë ndeshje me Laçin dhe i ka mrekulluar të gjithë me forcën, klasin dhe saktësinë që ka para portës.

26-vjeçari iu bashkua këtë verë kurbinasve pas eksperiencave që kishte me ND Gorica në Slloveni, Pobedën në Maqedoni dhe së fundmi Dritën në Kosovë.

Nëse bën një kërkim të thjeshtë në internet për nigerianin me pasaportë amerikane, papritur të shfaqen lajme shqetësuese.

Më 28 qershor të vitit 2018, klubi i ND Goricës në Slloveni ka nxjerrë një komunikatë për shtyp, ku thotë se do të ndërpriste kontratën me Kyrian Nvabuezen, sepse pas vizitave mjekësore, mjekët nuk kanë dhënë miratimin se ai mund të vazhdonte karrierën futbollistike me klubin slloven.

“Kyrian Nëbuezes nuk i është dhënë leje nga mjekët sllovenë për të vazhduar karrierën futbollistike me fanellën “bardheblu”. Përgjigjja e analizave mjekësore nuk i ka kënaqur mjekët, prandaj ND Gorica ka pranuar që ta ndërpresë bashkëpunimin me këtë futbollist”.

“Falënderojmë përzemërsisht Kyrian Nvabuezen për kontributin e tij me skuadrën tonë dhe i urojmë fat, por mbi të gjitha shëndet të mirë gjatë jetës së tij”, shkruhej ndër të tjera në komunikatën e klubit slloven.

Deri këtu bëhet fjalë për probleme shëndetësore, por askund nuk është cituar diagnoza apo të specifikohet problemi, por media sllovene nuk e ka lënë me kaq.

“Një amerikan me probleme kardiake, që Gorica nuk e donte, pothuajse vdiq në fushë”, – është titulli i portalit slloven “www.siol.net” më 14 nëntor të vitit të kaluar.

“Një futbollist amerikan me origjinë nigeriane, që nuk ka mundur të marrë certifikatën mjekësore në Slloveni, për shkak të problemeve me zemrën, vazhdon të luajë futboll duke vijuar karrierën e tij në Maqedoni. Ka luajtur edhe si titullar me skuadrën që kryesonte kampionatin derisa në një moment është rrëzuar përtokë gjatë ndeshjes. Kyrian Nëbueze mbërriti te ND Gorica në fillim të vitit 2018 dhe pasi luajti për gjysmën e sezonit, ai iu nënshtrua analizave mjekësore rutinë para se të niste edicioni i ri”.

Ish-sulmuesi i Pobedës realizoi dy gola në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut të Shkodrës, në të cilën Laçi shënoi fitore me rezultatin 4:1.

Rikujtojmë Nvabueze për 6 muaj ishte pjesë e Pobedës së Prilepit, për të cilën skuadër në 14 ndeshje realizoi 6 gola. Edhe pse emri i tij gjatë merkatos së janarit të këtij viti ndërlidhej me FC Shkupin, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe nigeriani me pasaportë amerikane vendosi të transferohej në elitën e futbollit kosovar te skuadra e Dritës, nga e cila këtë verë u transferua te Laçi, aty ku për momentin luan rolin e njeriut “GOL”.

Leave a Reply