Triumfi 4:0 ndaj Borecit për trajnerin Ernest Gjoka ishte suksesi i dytë kampional dhe i treti bashkë me takimin e Kupës të mërkurën e shkuar kundër Vardarit. Për teknikun kuqezi rezultati dhe paraqitja tregon se ekipi ngadalë pasqyron në fushë kërkesat e tij në aspekt të asaj që punohet në seancat stërvitore.
Tre gola të Armend Alimit dhe një realizim i Besart Ibraimit u dhanë “kuqezinjëve” fitoren më bindëse në këtë kampanjë, ndërsa ajo që i duhet ekipit në të ardhmen sipas trajnerit, Gjoka, është vazhdimësia.
“Sigurisht se ky rezultat më kënaq, sepse kur fitohet dhe fitohet me më shumë gola don të thotë se gjërat kanë funksionuar mirë. Por duhet të jemi të kujdesshëm, të kemi mendjen te vazhdimësia duke pasur parasysh sa larg e kemi kreun e tabelës. Kjo kërkon gjithmonë të jemi të kujdesshëm” – tha Ernest Gjoka.