Nesër Shkupi dhe Struga Trim Lum përballen në Çair në kuadër të xhiros së 13-të në elitën e futbollit vendor. Në këtë sfidë të dyja skuadrat vijnë pas kualifikimeve në çerekfinale të Kupës në mesjavë, ndërsa për herë të dytë në këtë sezon do të përballen ndërmjet veti në kampionat, pas atij barazimi 1:1 në Strugë.
Për skuadrën e Shkupit objektivi mbetet tre pikët dhe fitorja, me bardheblutë që përballë struganëve do të kërkojnë të kompenzojnë pikët e lëshuara në ndeshjen e parë të zhvilluar si mysafirë në Strugë.
“Po kalojmë një periudhë të ngarkuar me ndeshje në fundjavë dhe mesjavë. Pas asaj të Kupës që e kaluam me sukses të mërkurën, tani të dielën në pret ndeshja me Struga Trim Lum. Këtë sfidë e luajmë në shtëpi dhe pranë tifozëve tanë dhe kemi motiv shtesë që të japim maksimumin për të marrë rezultatin pozitiv. Struga është ekip i ri që udhëhiqet nga një trajner shumë i mirë, ndërsa gjithashtu jemi në formë të mirë me Qatip Osmanin dhe shpresojmë të marrim pikët e plota përballë tyre, duke kompenzuar ato pikë që i lëshuam në ndeshjen e parë si mysafirë”, tha mbrojtësi i Shkupit, Fati Ismaili.
Takimi Shkupi-Struga Trim Lum luhet nesër në stadiumin e Çairit, nga ora 13:30. /InfOSport.mk