Granit Xhaka nuk do të përfshihet në skuadrën e Arsenalit edhe për ndeshjen e rradhës në Angli. Kosovari që mbron ngjyrat e kombëtares së Zvicrës, nuk u paraqit as në mesjave në ndeshjen kundër Liverpullit, pas atij incidenti me tifozët e skuadrës së tij në ndeshjen e javës së kaluar kundër Kristal Pallas.
Edhe pse vetë Xhaka është sqaruar duke kërkuar edhe falje, ai nuk do të paraqitet edhe në ndeshjen e së shtunës kundër Vulverhempton, ndërsa një gjë të tillë konfirmoi edhe vetë trajneri i “topçinjëve”, Unaj Emeri.
“Ai po stërvitet. Ai nuk luajti kundër Liverpullit, dhe për mua do të vazhdojë, mbi të gjitha ne jemi duke u përqendruar për ndeshjen e nesërme kundër Vulvs” – është shprehur fillimisht Emeri, duke vijuar për të folur për rastin në fjalë.
“Njeriu, si të gjithë, ka ndjenja. Çështja e Xhakës javën e kaluar është një çështje që do kohë. Ai ka nevojë për kohë për të rikuperuar normalitetin në të. Ai shprehu keqardhje, ai u kërkoi falje tifozëve dhe të gjithëve. Tani të fokusohemi te ndeshja” – përfundoi Emeri.
Arsenali pas 10 xhirove të para në Premierligën angleze numëron 16 pikë dhe aktualisht mban pozitën e 5-të.