Përfaqësuesja e Kosovës në futboll gjatë muajit nëntor do të zhvillojë dy ndeshje tejet të rëndësishme, prej ku varet edhe fati i tyre lidhur me EURO 2020.
Fillimisht “Dardanët” do të udhëtojnë për në Çeki për tu ndeshur me kombëtaren çeke, ndërsa vetëm tre ditë më vonë, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova do të mirëpret Kombëtaren e Anglisë.
Ndërkohë kompania që merret me dizajnimin e fanellave të përfaqësueses së Kosovës, gjatë ditës së sotme ka prezantuar fanellën speciale, me të cilën “Dardanët” do të paraqiten në ndeshjen e 14 nëntorit ndaj Çekisë.
Kompania “14 Fourteen” ka krijuar një tjetër edicion special të fanellave për “Dardanët”, të cilët kësaj rradhe do të vishen me fanellën e bardhë, e cila e ka një dizajn unik.
Në mesin e fanellës janë ngjyrat kaltër e zi, ndërkohë në fundin e fanellës është e publikuar edhe harta e Kosovës.
“Çdo ndeshje është një aventurë, çdo ndeshje është e veçantë, është koha ta kujtojmë çdo moment, kjo është arsyeja pse ne jemi me ju për ta kujtuar atë”, shkruan faqja e kompanisë “14 Fourteen“.