Nëse Kombëtarja e Shqipërisë ndeshjen e fundit eliminatore për Euro 2020 kundër Francës do të dëshirojë që ta zhvillojë në “Arenën Kombëtare”, atëherë FSHF do të duhet që me urgjencë të bëjë ndryshime të mëdha në impiant e të ofrojë kushte më të përshtatshme për mediat dhe transmetimin televiziv.
Kjo ka qenë një nga detyrat kryesore që inspektimi i fundit UEFA-s u ka lënë drejtuesve të FSHF-së, duke u bërë të qartë se situata aktuale nuk përputhej me kërkesat minimale që duhet të plotësojë për të siguruar licencimin për këtë sfidë.
Sipas RTSH, në inspektimin e fundit, UEFA ka konstatuar se vendet e caktuara për kamerat e transmetimit në tribuna nuk ishin të përshtatshme, për një sinjal të pastër transmetimi.
Gjithashtu, vendet e komentatorëve të ndeshjeve si dhe të mediave, nuk kishin të gjitha shikueshmëri të qartë të asaj që ndodhte në fushën e lojës.
FSHF i kishte kaluar në plan të dytë këto gjëra, por për UEFA-n, ato janë shumë të rëndësishme në mënyrë që të shesë sa më mirë produktin e saj. Ndaj ajo ka lënë si detyrë që të bëhen sa më shpejt korrigjimet e këtyre gabimeve në planin e FSHF-së, për të bërë të mundur që gjithçka të jetë gati për ndeshjen e nëntorit.
Sipas planit paraprak, FSHF do të ketë më 3 nëntor ndeshjen e parë testuese, atë mes Vllaznisë dhe Apolonisë për femra, për të parë gjendjen e sistemeve të impiantit.
Por më parë, institucioni i futbollit duhet të zgjidhë këto probleme që nuk i kishte parashikuar, ndaj është në luftë me kohën për të sistemuar gjithçka, pasi dueli kundër Francës në program është me 17 nëntor, pra jo më pak se 3 javë larg.