
Rabotniçki ka shënuar fitore komode 4:0 ndaj Pelisterit, duke u kualifikuar kështu me rezultatin e përgjithshëm 5:1 për në çerekfinale të Kupës, njofton “infOSport.mk”.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari, “romantikët” ishin të pamëshirshëm ndaj mysafirëve, në pankinën e të cilëve sot debutoi ish futbollisti i tyre, Zoran Shterjovski.
Ndryshe pjesa e parë u mbyll me vetëm një gol të shënuar në rrjetën e portierit mysafir Filip Trajçevski.
Pas një pakujdesie të mbrojtësit Gançev, “romantikët” në minutën e 32-të përfituan një penalti, të cilën në gol e shndërroi Sebastian Herera.
Pjesa e dytë rezultoi të jetë më efikase, me një Rabotniçki që sulmonte vazhdimisht, ndërsa golin e dytë e realizoi Ivan Markoviç në minutën e 61-të.
Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më vonë, Stefan Jevtoski prodhoi një proektil të vërtetë, duke bërë që Trajçevski edhe për herë të tretë ta nxjerrë topin nga rrjeta e tij.
Megjithatë këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar, pasi deri në mbyllje të takimit, mysafirët shkaktuan edhe një penalti tjetër, të cilën kësaj rradhe e ekzekutoi sulmuesi, Ivan Markoviç (75’), duke vendosur njëherit edhe rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Rabotniçki 4, Pelisteri 0.
Foto: gol.mk