Të fitosh derbin e parë si trajner i Shkëndijës kundër Vardarit, padyshim se do ta linte të kënaqur trajnerin Ernest Gjoka, që nuk fsheh kënaqësinë nga paraqitja e ekipit, triumfi e mbi të gjitha kualifikimi në çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut. Shkëndija mundi 1:0 Vardarin në takimin e kthimit të 1/8 së finales dhe goli i Agim Ibraimit në minutën e 74-të rezultoi vendimtar në kushte kur skuadrat vinin pas barazimit 2:2 në takimin e parë në Shkup.
“Sot ishte një ndeshje që ne duhej me patjetër ta fitonim, ta kalonim si ndeshje plus në anën morale, por edhe për kënaqësi të gjithë skuadrës, tifozëve, Tetovës dhe gjithë shqiptarëve. Mendoj se në përgjithësi kanë qenë disa momente, por deçizive ishte pjesa e dytë kur djemtë u liruan nga ana psikologjike, filluan të kërkojnë më shumë hapsira dhe them që momenti i golit ishte ai që bëri diferencën” – është shprehur Ernest Gjoka, i cili vijoi: “Ishte shumë me rëndësi të fitonim, pavarësisht se gjatë gjithë kohës jam munduar që ta qetësoj skuadrën pasi të gjithë e dimë çka don të thotë ndeshja me Vardarin që duhet me patjetër fituar. Por ndonjëherë duke kërkuar fitoren mund të gabonim. Sot kam qenë gjithë kohën i kujdesshëm që skuadra të mos kishte të paktën çekuilibër taktik dhe pastaj do të arrinim ta gjenim hapsirën kundërshtare që ta godisnim. Besoj që gradualisht erdhën gjërat dhe doli ashtu si që kishim planifikuar ne ndeshjen”.
Ai në fund falënderoi edhe tifo grupin “Ballistët” dhe gjithë tifozët e pranishëm në stadium.
“Jam shumë i emocionuar, sepse dua t’i falemenderoj shumë nga zemra ‘Ballistët’ dhe të gjithë tifozët, sepse më kanë mirëpritur që ditën e parë që kam marrë drejtimin. Edhe pse kam startuar me humbje ata shfaqin besim të unë dhe me këtë më vëndosin para një përgjëgjësia shumë të madhe. I falemenderoj shumë dhe unë mendoj se duhet ta mbështesim skuadrën, sepse ekipi ka nevojë të rritet tashmë. Por nuk rritet vetëm, rritet bashkë me tifozët” – përfundoi Gjoka.
Për Ernest Gjokën ishte kjo fitorja e dytë me Shkëndijën pas 4 takimeve në krye të skuadrës tetovare.