Nje prej lojtarëve më të mirë të Shkëndijës, Egzon Bejtullai me shumë gjasa në janar do të vazhdojë karrierën jashta vendit. Kështu të paktën thonë raportimet e portalit kosovar, ‘indeksonline’ të cilët nga burime me agjencion për menaxhim të futbollistëve të afërt me reprezentuesin e Maqedonisë potencojnë interesim nga klube turke, sllovake e polake për shërbimet e mbrojtësit kuqezi.
Paraqitjet e shkëlqyeshme me Shkëndijën dhe përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut tashmë një periudhë kanë futur Egzon Bejtullain në ‘radarët’ e skuadrave nga kampionate të ndryshme. Ecuria pozitive e Shkëndijës së Tetovës tashmë për disa vite me radhë jo vetëm në skenën vendore ka bërë që futbollistët e kësaj skuadre të ndiqen me shumë interes nga klube të jashtme, shkruan Indeksonline.
Nuk përjashtohen rastet e transferimeve nga radhët e Shkëndijës në klube të jashtme si që ishte lëvizja e fundit me Visar Musliun që verën e kaluar kaloi në Hungari te Mol Ferhevar.
Kësaj rruge duket se shkon edhe Bejtullai, i cili me formën e mirë në kontuinitet dhe faktin që ka hyrë në dy muajt e fundit të kontratës me kuqezinjtë tetovarë bëhet shumë tërheqës për agjentë dhe klube të jashtme. Në verën që lamë pas skuadra turke ishin në ndjekje të tij (mes tjerash përmendet Göztepe), ndërsa në adresë të tij së fundmi ka arritur interes edhe nga klube nga Polonia dhe Sllovakia.
Informatat dalin nga burime të afërta me një agjension të njohur kosovar, sipas të cilëve egziston mundësia që mbrojtësi 25 vjeçar, Egzon Bejtullai në muajin janar të vitit 2020 të bëjë lëvizje të rëndësishme në karrierën e tij.
Bejtullai ka nisur karrierën me Teteksin e Tetovës, për të kaluar më pas te Shkëndija ku zhvillon sezonin e 7-të dhe deri tani ka fituar 2 kampionate dhe një Kupë me kuqezinjtë, krahas Kupës paraprake me Teteksin. Paraqitjet konstante e bënë pjesë e ekipeve përfaqësuese të Maqedonisë së Veriut, në vitin 2017 ishte standard në suksesin historik dhe pjesëmarrjes në EURO 2017 në Poloni me gjeneratën U21, ndërsa prej atëherë është standard me përfaqësuesen A të Maqedonisë së Veriut.