Shkëndija e Gjokës pa ide për golin ndaj Makedonija GJ.P

Shkëndija e Ernest Gjokës edhe përkundër dominimit në ndeshjen e javës së 12-të kundër Makedonija GJ.P në Shkup, nuk arriti të shënonte fitore, njofton “infOSport.mk”. Skuadra kampione e vendit barazoi pa gola, ndërsa lojtarët “kuqezi”, sikurse ishin pa ide për golin e 3 pikëve.

Mundësinë më të mirë në pjesën e parë për Shkëndijën e pati Marjan Radeski në minutën e 18-të, mirëpo Jovanovski ndali tentimin e tij. Shkëndija kishte dominim të plotë në terren dhe pranë epërsisë shkoi Husmani i cili drejtoi topin në portë në tentimin për të harkuar, por syçelë tregohet Jovanovski që shpëton gol të sigurtë.

Në fund të pjesës së parë vendasit e Makedonija GJ.P u liruan pak nga presioni dhe shfaqën apetite sulmuese, mirëpo gjithçka që arritën të bëjnë ishte goditja e parë në kuadrantin e portës kuqezi me anë të Robsonit, por që kontrollohet pa problem nga Zahov.

Minutat e para të pjesës së dytë sollën vendasit më kërkues, mirëpo Shkëndija shpejt amortiozi lojën dhe u kthye të dominojë në terren. Gjithsesi tempoja e lojës nuk ishte si në të parën, duke qenë se futbollistët e Makedonija Gj.P. mbulonin më mirë dhe si pasojë munguan rastet e pastërta.

Në minutën e 60-të një harkim në zonë nga ana e Zhunior gjeti para zonës kundërshtare Marjan Radeskin, goditja e të cilit me kokë përfundoi vetëm mbi portë.

Në anën tjetër Makedonija GJ.P në minutën e 73-të përmes një kundërsulmi me anë të Alen Jasharovskit kishte rast ideal për të shënuar, mirëpo intervenimi i shkëlqyeshëm i mbrojtësit Çeshmexhiev, bëri që Zahov të mos ketë punë.

Deri në fund të takimit trajneri Gjoka provoi të ndryshojë diçka me inkuadrimin në lojë të Agim Ibraimit, Huan Felipes dhe Enur Totres, por goli mungoi dhe në fund mbeti i fiksuar barazimi 0:0.

Shkëndija mbetet në pozitën e 5-të me 15 pikë, ndërsa “verdhekuqtë” nga Gjorçe Petrovi me 2 pikë më shumë renditet në pozitën e katërt.

Leave a Reply