Vardari ka shënuar fitore 2:0 ndaj Rabotniçkit në ndeshjen e parë të javës së 12-të në LPFMV, njofton “infOSport.mk”. Njeriu i ndeshjes doli të jetë fantazisti i “kuqezinjëve”, Daniel Avramovski, që i realizoi të dy golat.
Pjesa e parë nuk prodhoi shumë raste, ndërsa shtylla i mohoi golin Darko Micevskit të Vardarit. Ishte kjo mundësia më e mirë për “kuqezinjtë” gjatë
45 minutëshit të parë, ndërsa në anën tjetër seriozisht u kanos Ivan Markoviç, mirëpo goditjen e tij të fuqishme me sukses e ndali portieri Filip Gaçevski.
Pjesa e dytë rezultoi shumë pozitive për Vardarin, skuadër kjo që shfrytëzoi në maksimum rastet që kishte para portës kundërshtare.
Në një situatë të tillë, Daniel Avramovski në minutën e 77-të nga gjuajtja e lirë, duke iu falënderuar një devijimi nga muri i gjallë arriti që të shënojë golin e parë në rrjetën e Damjan Shishkovskit, ndërsa në minutat e fundit të takimit pas një kundërsulmi, po i njëjti futbollistë shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e “romantikëve”, të cilët mbeten të ngujuar në pozitën e fundit në renditjen tabelare me vetëm 10 pikë të tubuara.
Në anën tjetër falë kësaj fitore Vardari sërish merr kryesimin në LPFMV, tashmë me 27 pikë, 3 më shumë se Akademia Pandev e vendit të dytë, që ka edhe një ndeshje më pak, atë kundër Borecit, që do ta zhvillojë nesër në Veles.
Foto: ekipa.mk