Labunishti ka barazuar 1:1 ndaj Pelisterit në derbi ndeshjen e javës së 9-të në Ligën e Dytë Futbollistike – Perëndim, njofton “infOSport.mk”.
Doli të jetë kjo një ndeshje mjaft e luftuar nga të dyja skuadrat, që fillimisht më shumë menduan për golin e tyre, se sa në atë kundërshtarë, ndërsa në saje të një loje të tillë të aplikuar nga trajnerët e Labunishtit dhe Pelisterit, që të dy golat erdhën vetëm në 25 minutëshin e fundit të takimit.
Të parët që kalulan në avantazh, ishin vendasit, kur sulmuesi shkupjan, Sunaj Hasan, arriti që të mposhtë portierin Filip Trajçevski, ndërsa festa e tij morri vëmendjen e të gjithë të pranishmëve në stadiumin e qytetit të Strugës.
Hasan festoi me me simbolin e nderimit ushtarak, që ishte një dedikim për forcat e armatosura turke, që po luftojnë në Siri, ndërsa e njëjta gjeti edhe mbështetjen e tifozëve të Labunishtit, që iu kundërpërgjigjën sulmuesit të tyre, duke nderuar ushtarakët turq edhe nga shkallët e stadiumit.
Kjo festë (shih foton) është aplikuar nga shumica e sportistëve turq thuajse në të gjitha sportet, ndërsa u përdor edhe nga ana e futbollistëve të Kombëtares turke në kuadër të ndeshjeve eliminatore të tetorit, që Turqia i zhvilloi kundër Shqipërisë dhe Francës.
Megjithatë ky gol nuk i mjaftoi Labunishtit për të marrë në fund 3 pikët e plota nga ky takim, pasi në minutën e 81-të, veterani Borçe Manevski, shënoi golin e barazimit, duke i siguruar një pikë Pelisterit, që me 20 pikë të tubuara mban pozitën e parë në Konferencën e Perëndimit.
Menjëherë pas tyre me 15 pikë renditet Drita e Bogovinës, që sot u mund në shtëpi nga Ohrid Lihnidos, ndërsa po 15 pikë në pozitën e tretë ka grumbulluar edhe Labunishta.