Milani ka barazuar 2:2 ndaj Leçes në ndeshjen debutuese të trajnerit Stefano Pioli. Edhe pse “kuqezinjtë” ishin shumë afër fitores, që do ishte një dhuratë për trajnerin e tyre të ri, që festonte ditëlindjen e 54-të, një gol i shënuar nga Kalderoni në minutën e 92-të, prishi gjithçka fare në fund, duke kthyer Milanin në realitetin e hidhur, njofton “infOSport.mk”.
Ndryshe pjesa e parë foli në tërësi për “rossonerët” që avansuan me golin e Hakan Çalhanogllu në minutën e 20-të. Pjesa e dytë doli të jetë më interesante, dhe e njëjta dhuroi 3 gola.
Ishin mysafirët që në minutën e 62-të barazuan me anë të Babakar, i cili fillimisht humbi penaltinë, mirëpo devijimin e portierit Donaruma, i njëjti futbollistë arriti që ta shndërrojë në gol, duke shënuar për 1:1.
Pjontek edhe pse nga bankina, në minutën e 81-të arriti që të shënojë golin e dytë në rrjetën e mysafirëve, të cilët megjithatë nuk u dorëzuan dhe falë super golit të shënuar nga Kalderoni në fund arritën që nga “San Siro” të dalin me një pikë të fituar.
Ishte ky barazimi i parë për Milanin këtë edicion, skuadër kjo që pas 8 xhirove renditet në pozitën e 12-të me 10 pikë të tubuara, ndërkohë Leçe me 7 pikë mban pozitën e 15-të.