Renova u dorëzua në pjesën e dytë në transfertën në Kratovë

Renova ka pësuar edhe disfatën e 5-të sezonale në elitën e futbollit vendor, teksa sot u mund në transfertën në Kratovë ndaj Sileksit me rezultatin 3:0, njofton “infOSport.mk”. Ndoshta te ky rezultat ndikoi edhe kartoni i kuq i minutës së 26-të për qendërmbrojtësin Nehar Sadiki, mungesa e të cilit u vërejt në pjesën e dytë, kur skuadra nga Kratova arriti që të bëjë diferencën.

Pas një rivënie nga këndi në minutën e 68-të dhe daljes së gabuar të portierit Hadis Veli, mbrojtësi serb Dejan Bllagojeviç nga shtylla e dytë shënoi në rrjetën e zbrazët për 1:0.

Ky rezultat bëri që Renova të sulmojë edhe më shumë në drejtim të portës kundërshtare, në kërkim të golit të barazimit, mirëpo loja e tillë la shumë zbraztira në mbrojtjen e “gjispunuesve”, të cilët në 10 minutëshin e fundit të takimit pranuan edhe dy gola të tjerë, pikërisht në momentet kur forcat në fushën e blertë ishin barazpeshuar, pas kartonit të dytë të verdhë të Zheravica dhe largimit të tij nga loja në minutën e 75-të.

Golin e dytë Sileksi e realizoi në minutën e 83-të, kur Darko Dodev duke përfituar nga një devijim i portierit Veli, nga afërsia i papenguar nga askush shënoi për 2:0.

Po i njëjti futbollistë në minutën e 92-të shënoi edhe golin e tretë për Sileksin, duke kontribuar që në fund skuadra e tij të shënojë një fitore të thellë, edhe pse gjërat në fushën e blertë flisnin më ndryshe, me një Renovë që në pjesën e parë ishte më dominuese dhe më shumë kërkuese.

Megjithatë në fund vlejnë golat dhe pikët, ndërsa falë 3 pikëshit të sotëm, Sileksi tejkalon në renditje edhe Shkëndijën, dhe aktualisht me 12 pikë mban pozitën e 6-të. Në anën tjetër Renova me një pikë më shumë vazhdon të ruajë pozitën e 5-të në LPFM.

Leave a Reply