E premtja për opinionin futbollistik në vendin tonë kaloi nën shenjën e firmës së Ferhan Hasanit me gjigandin finlandez, HJK Helsinki.
Në mesin e shumë informatave dhe detajeve se Buba firmosi për një vit me skuadrën bardhekaltërt, se te skuadra e tij e re tetovari do të mbajë fanellën me numrin ’22’, e kështu me rradhë, shumë pak apo thuajse aspak nuk u fol për personin që qëndronte në krahë të Hasanit gjatë gjithë kohëzgjatjes së ekzaminimeve mjekësore, firmosjes dhe vetë prezantimit!
Kush ishte ky djalosh dhe ç’kërkonte aty në fotografimin zyrtarë!?
Bëhet fjalë për Avni Hasanin, djalë i axhës së Bubës, por që prezenca e tij nuk ka të bëjë me arsyet familjare.
Nëse shihet me kujdes postimi i Ferhan Hasanit në profilin e tij zyrtar në Instagram, mes tjerash spikat falënderimi për wespiremanagment.
Bëhet fjalë për agjension për menaxhim të futbollistëve me seli në Kopenhagë të Danimarkës e krijuar pikërisht nga Avni Hasani dhe partneri i tij Otman El Falaki.
Wespire Managment është në fazë të ngritjes dhe fillimisht merret kryesisht me menaxhimin e futbollistëve të rinjë.
Por, natyra e biznesit bëri që dy djem të axhës nga familja Hasani të bashkëpunonin në realizimin e një transferimi edhe pse këtë kurrë më parë se kishin menduar. Avni Hasani ishte personi që zhvilloi bisedimet me drejtuesit e HJK Helsinkit dhe me mbylljen e suksesshme të këtij operacioni fiton në vlerë edhe vetë agjencioni Wespire Managment, që tashmë hiq anësh lidhjen familjare, pas vetes mban firmën e realizimit lëvizjes së një futbollisti me emër që është paraqitur me sukses me Shkëndijën e Tetovës, Wolfsburgun në Gjermani, Brondbyn në Danimarkë, Al Raed në Arabinë Saudite, si dhe përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut.