Ferhan Hasani gjatë ditës së sotme ju ka dhënë fund spekullimeve rreth të ardhmes së tij, duke vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë në Finlandë, te skuadra e njohur e Helsinkit, shkruan “infOSport.mk”.
Bëhet fjalë për një ndër skuadrat më të suksesshme finlandeze, që numëron plotë 29 tituj kampion, ndërsa me Hasanin në skuadër, ata pretendojnë që të sjellin edhe trofeun e 30-të jubilar, një gjë që përmes deklaratës së tij të parë si pjesë e Helsinkut, e paralajmëroi edhe vetë futbollisti tetovar.
“Unë jam shumë i lumtur që do jem pjesë e një skuadre me traditë të madhe si Helsinki. Pritjet e mia për sezonin e ardhshëm janë vërtetë shumë të larta” – ka thënë Hasani për faqen zyrtare të klubit finlandez.
Hasani pasi përfundoi kontratën me skuadrën arabe të Al Raed, për disa muaj ishte pa klub, në pritje të ofertës më të mirë, që si duket i arriti pikërisht nga drejtuesit e Helsinkit. Emri i tij më parë ndërlidhej edhe me dy skuadrat nga superliga shqiptare, Partizanin dhe Kukësin, ndërsa së fundmi në lojë kishte dalë edhe emri i FC Shkupit, skuadër kjo që javë më parë emëroi për trajner, Qatip Osmanin, trajnerin me të cilin Hasani i kishte fituar të tre titujt kampion te Shkëndija.