Një gol i Rodrigo Morenos në minutën e 91-të në transfertën e vështirë ndaj Suedisë kualifikoi zyrtarisht në Euro 2020 Spanjën që përfitoi edhe nga barazimi mes Rumanisë dhe Norvegjisë për të siguruar me 2 ndeshje më herët praninë në fazën finale të Europianit të vitit të ardhshëm. Suedia ishte shumë pranë fitores falë golit të Marcus Berg në minutën e 50-të, por në fund Rodrigo u prishi festën nordikëve me Spanjën që regjistroi barazimin e dytë radhazi me shifrat 1-1 në gadishullin skandinav por këtë herë pika e marrë vlejti sa një fitore. La Roja kryeson grupin F me 20 pikë, 5 më shumë se Suedia dhe 6 më shumë se Rumania dhe duke patur parasysh që këto dy përfaqësuese ndeshjen e radhës e kanë me njëra tjetrën, spanjollët janë zyrtarisht në Euro 2020. Edhe në ndeshjen tjetër të këtij grupi një gol në fund i Sorltoth i hoqi fitoren nga duart Rumanisë që barazoi 1-1 në Bukuresht ndaj Norvegjisë. Për rumunët realizoi Mitrita ndërkohë që në fillimin e pjesës së dytë George Puscas humbi një 11-metërsh.
Në ndeshjen mes dy skuadrave më të dobëta të grupit F, Ishujt Faroe mposhtën 1-0 Maltën. Një fitore me aromë kualifikimi arriti Zvicra që mposhti 2-0 Republikën e Irlandës në grupin D duke u ngjitur në kuotën e 11 pikëve, 1 më pak se dy kryesueset por helvetët tashmë janë të avantazhuar pasi kanë një ndeshje më shumë se Irlanda për të luajtur dhe dy sfidat e tyre i kanë ndaj dy skuadrave më të dobëta të grupit. Finalizimi i Seferovic dhe autogoli i Duffy i mjaftuan Zvicrës për të marrë tre pikët ndërkohë që humbi një 11-metërsh Ricardo Rodriguez. Në ndeshjen tjetër të grupit F, Gjeorgjia la në kuotën 0 pikë Gjibraltarin falë fitores 2-3. Në grupin J Italia mori fitoren e 8-të në po kaq ndeshje. Edhe pse zyrtarisht të kualifikuar dhe me trajnerin Mancini që aktivizoi lojtarët e stolit të kaltrit triumfuan 0-5, ku spikati Belotti me një dygolësh. Greqia ndërkohë u dha një goditje të rëndë shpresave të Bosnje Hercegovinës për të tentuar kualifikimin në Euro 2020 nëpërmjet eliminatoreve pasi në Athinë triumfuan grekët 2-1. Në grupin G ndërkohë Izraeli bëri detyrën ndaj Letonisë duke fituar 3-1 me dy gola të Dabbur dhe një të të përhershmit Eran Zahavi, golashënuesi më i mirë në këto eliminatore me 11 finalizime.