Kombëtarja e Shqipërisë të hënën në mbrëmje shënoi fitoren më të thellë në një ndeshje zyrtare, duke mundur Moldavinë me rezultatin 4:0, njofton “infOSport.mk”. Kjo ndeshje shumë gjatë kohë do të mbahet mend nga i riu kumanovar, 20-vjeçari Lindon Selahi, i cili bëri debutimin e tij me fanellën e kombëtares shqiptare, e që pa dyshim se është ëndërr e çdo futbollisti shqiptarë, pavarësisht se nga cili vend vjen.
Ndryshe Selahi është pjesë e skuadrës së njohur holandeze të Tuentes, ndërsa pikërisht paraqitjet e mira në kampionatin elitar holandez, kanë shtyrë trajnerin Reja, për ta grumbulluar atë në kombëtaren shqiptare.
Selahi numëron 9 paraqitje këtë edicion me Tuenten, te e cila skuadër u transferua gjatë merkatos së kësaj vere, edhe atë për një shumë prej 150 mijë eurosh.
Ndryshe bëhet fjalë për një mesfushorë të lindur në Belgjikë, mirëpo me prindër shqiptarë, që vijnë nga Kumanova.
Falë talentit të tij, ai kishte marrë ftesë nga Belgjika U16, për të cilën numëron 2 ndeshje, mirëpo me të kuptuar dëshirën e tij për të mbrojtur ngjyrat e Shqipërisë, drejtuesit e Federatës shqiptare të futbollit kishin ofruar atë te skuadra U21, për të cilën numëron edhe 5 paraqitje.