Seleksionuesi i pwrfaqwsueses sw Maqedoniw nw futboll, Igor Angellovski pasi ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet eliminatore për KE 2020 me Slloveninë dhe Poloninë, potencon se janë dy takimet më të rëndësishme në këtë cikël kualifikues.
Angellovski beson se ekipi përfaqësues kundër Sllovenisë do të sjellë performansën më të mirë deri tani.
“Lista në tërësi është e njejta në krahasim me atë ta ndeshjeve paraprake. Darko Velkovski del nga kombinimi shkaku i lëndimit, ndërsa presim testet e fundit mjekësore nga Enis Bardhi për të mësuar nëse ka gjasa të jetë në kombinim. Në ekipin përfaqësues kthehen Ristovski dhe Toshevski, ndërsa Bejtullain nuk do ta kemi për ndeshjen me Slloveninë shkaku i tre kartonave të verdhë. Jam i bindur se kundër Sllovenisë do të sjellim paraqitjen tonë më të mirë, për shkak se për ne ky takim ka vlerë të madhe, por njëkohësisht është duel në të cilin do të kënaqemi. Vetë me mundin tonë kemi ardhur në situatë për të shpresuar në kualifikim më të lartë në grup dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur atë”, – deklaroi Igor Angellovski.
“Mund të fitojmë vetëm nëse qëndrojmë të bashkuar si ekip dhe nëse luajmë ashtu si dimë. Sllovenia të gjitha ndeshjet i ka luajtur thuajse me të njejtët futbollistë, të njejtën e kemi praktikuar edhe ne, që ndryshojmë vetëm kur kemi nevojë. Kemi përdorur disa sisteme loje vitet e kaluara dhe gjithmonë duhet të gjejmë atë që përshtatet me rivalin. Sllovenia është përfaqësuese e fortë që ka portier si Oblak, lider si Iliçiq, mirëpo pres duel të balansuar dhe luftë në çdo pjesë të terrenit. Unë besoj në këta futbollistë”, – shtoi seleksionuesi.
Ndeshja ndërmjet Maqedonisë dhe Sllovenisë do të luhet më 10 tetor në Arenën Nacionale “Todor Proevski”. Grumbullimi është caktuar për datën 7 tetor në hotelin “Grand Plazza”, ndërsa seanca e parë stërvitore do të zhvillohet të njejtën ditë në orën 18:00 në qendrën sportive “Petar Milloshevski”.