Liverpulli dhe Red Bull Salzburgu kanë zhvilluar një super ndeshje në “Enfilld Roud”, në të cilën skuadra kampione e Europës në fuqi regjistroi fitoren e parë në kuadër të grupit “E” të Ligës së Kampionëve, njofton “infOSport.mk”.
Para dy javësh Liverpulli u mund nga Napoli në “San Paolo” me rezultatin 2:0, teksa sonte kundër austriakëve shënoi fitore 4:3.
Ishte kjo një super ndeshje, në të cilën Liverpulli avansoi me 3:0 pas golave të shënuar nga Sadio Mane (9′), Endrju Robertson (25′) dhe Mohamed Sallah (36′), ndërsa rikthimin e Salzburgut e paralajmëroi Hij Çan Huan me golin që realizoi në minutën e 39-të.
Në pjesën e dytë Salzburgu shënoi edhe dy gola të tjerë me anë të Takumi Minamino (56′) dhe Erling Holand (60′), duke barazuar shifrat në 3:3, ndërkohë për fitoren e Liverpullit mendoi Mohamed Sallah me golin e dytë personal të shënuar në minutën e 69-të.
Në ndeshjen e parë të këtij grupi Genku dhe Napoli barazuan pa gola. Skuadra “napolitane” edhe përkundër barazimit, mban pozitën e parë me 4 pikë, një më shumë se Salzburgu dhe Liverpulli, që mbajnë pozitat 2 dhe 3, teksa me vetëm 1 pikë Genku renditet në pozitën e fundit.