Derbi i Anamoravës, midis Dritës dhe Gjilanit pa dyshim se është një ndër ndeshjet që zgjon interesim të madh jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjërë. Qyteti i Gjilanit jeton për këtë derbi, i cili gjithnjë ka dhuruar shumë momente të bukura, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, ku fjalën kryesore e kanë tifo grupet “Intelektualët” dhe “Skifterat”.
Ndërkohë kësaj rradhe ky derbi do të jetë i veçantë dhe do të zgjoj interesim edhe për futbolldashësit në vendin tonë, duke pasur parasysh se në të dyja skuadrat luajnë futbollistë nga vendi ynë.
Te Drita e Gjilanit, në portë është Darko Tofiloski, ish portieri i Pobedës, pastaj Ardian Cuculi, Sedat Berisha, Bunjamin Shabani dhe Izair Emini, ndërsa në anën tjetër te Gjilani do të luaj Muhamed Useini.
Pikërisht dueli mes këtyre dy të fundit do të jetë i veçantë, duke pasur parasysh se janë në lidhje farefisnore. Bëhet fjalë për dy djemtë teze, të cilët edhe në të kaluarën kanë rastisur të luajnë njëri kundër tjetrit, ndërsa sot për herë të parë do të jenë protagonistë të derbit të madh të Anamoravës.