Cikalleshi vazhdon shkëlqimin në Turqi me Akhisarspor (VIDEO)

Sokol Cikalleshi po kalon momente shumë të mira të karrierës. Pas golave në vazhdimësi me kombëtaren e Shqipërisë, sulmuesi shtatëlartë nga Kavaja të njëjtën gjë po bënë edhe me fanellën e Akhisarspor, për të cilën skuadër sot shënoi dy gola në fitoren 3:2 në transfertë kundër Karagumruk, njofton “infOSport.mk”.

Cikalleshi realizoi në një interval kohor prej vetëm 7 minutash, edhe atë fillimisht në minutën e 22-të, e më pas edhe në minutën e 29-të, kur bëri që Akhisarspor të avansojë me rezultatin 3:0.

Karagumruk në fundin e pjesës së parë ngushtoi epërsinë e Akhisarspor me anë të sllovakut Sabo, ndërsa në të dytën gjithçka që mundën të bëjnë, ishte edhe goli i dytë i shënuar nga Emeghara (69’).

Për Cikalleshin ishte ky goli i katërt në 3 ndeshjet e fundit, ndërsa falë kësaj fitore Akhisarspor merr kryesimin në Ligën e parë turke me 13 pikë pas 6 xhirove të para.

Leave a Reply