Futbollistët e Shkëndijës sot në Çair kundër FC Shkupit do të kërkojnë të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive në kampionat.
Me tre fitore të njëpasnjëshme në kampionat dhe pa gol të pranuar, ekipi është para një testi interesant në këtë transfertë të parë prej kur drejtimin e ekipit e mori Erhan Selimi, nëse përjashtojmë sfidën me Renovën ku Shkëndija luajti në cilësi të mysafirit.
Gjithsesi, në mesjavë skuadra barazoi 2:2 në transfertën me Vardarin në takimin e parë të 1/8 së finales së Kupës, ku “kuqezinjtë” zhvilluan një pjesë të parë shumë pozitive, por që ranë dukshëm në të dytën, kur edhe kundërshtari shfrytëzoi gabimet, apo më mirë thënë pasivitetin në mbrojtjen e Shkëndijës.
Pikërisht një gjë të tillë do të kërkojnë edhe “bardhekaltërit” nga Çairi, të cilët besojnë se me strategjinë mirë të vendosur nga trajneri i ri Qatip Osmani, në fund do i’a arrijnë qëllimit. Për më tepër, që sot te Shkëndija do të mungojë mbrojtësi kryesor dhe njëherit kapiteni i skuadrës, Egzon Bejtullai, ndërsa përveç tij do të mungojnë edhe dy titullarët Gledi Mici dhe portieri, Kostadin Zahov.