Krivanjeva: Respekte Shkëndijës, por objektiv kemi fitoren

FC Shkupi në kuadër të javës së 8-të në elitën e futbollit vendor do të përballet me Shkëndijën, skuadër kjo që në Çair vjen pas një serie prej 3 fitoreve të njëpasnjëshme, shkruan “infOSport.mk”. Është ky derbi i parë i sezonit mes dy skuadrave shqiptare me më shumë tifozëri në futbollin vendor, ndërsa gjithashtu do të jetë hera e parë që Qatip Osmani, trajneri i deridjeshëm i Shkëndijës, do të udhëheq FC Shkupin në një ndeshje kampionale.

Pikërisht këtu ekipi vendas sheh përparësinë, pasi shefi i stafit teknik e njeh shumë mirë Shkëndijën dhe njeh kualitetet dhe dobësitë e ekipit kundërshtarë.

Për këtë ndeshje nga tabori i “bardhekaltërve” nga Çairi, ka folur mbrojtësi i krahut të majtë, Besart Krivanjeva, i cili me ardhjen e Osmanit, ndeshjen ndaj Sileksit e nisi si titullarë, e që nuk ndodhte edhe nën udhëheqjen e trajnerëve turq, Umit Karan dhe Bulent Akin.

“Kemi kaluar një javë të ngarkuar me ndeshje në kampionat dhe Kupë. Kishim dy ditë në dispozicion për tu përgatitur për ndeshjen me Shkëndijën dhe kemi kryer të gjitha detyrat që na ka dhënë trajneri i ri. Shkëndija posedon ekip të mirë me futbollist kualitetiv, por objektivi  jonë është fitorja dhe shpresojmë ta arrijmë dhe ti gëzojmë tifozët tanë “Shvercerat”, – është shprehur Besart Krivanjeva.

Ndeshja midis FC Shkupit dhe Shkëndijës starton në ora 15:00.

Leave a Reply